Reshjet e debores nuk ndalen

RTV KLAN 2018-05-11

Views 0

Reshjet e dëborës kanë vijuar edhe përgjatë të mërkurës në pjesën më të madhe të vendit. Problematike situata mbetet në zonat e thella, ku ka izolim të fshatrave dhe herë pas herë mungesë të energjisë.

Në Pukë e Kukës dëbora nuk ka ndalur dhe përdoruesve të rrugëve kombëtare dhe rurale u kërkohet të kenë kujdes pasi ka rrezik nga orteqet. 50 deri në 60 centimetër dëborë ka në Peshkopi, ku më i vështirë është kalimi në segmentin Ura e Çerenecit ? Steblevë.

Në Qafë Thanë trashësia e borës arriti mbi 40 cm, megjithatë rruga është e kalueshme me zinxhirë. Reshje intensive ka pasur edhe në Elbasan e Tiranë, ndërsa mësimi është pezulluar në 639 shkolla në të gjithë vendin. Në 298 të tjera mësimi është zhvilluar me orë të reduktuara.

Shuma fshatra në qarkun e Elbasanit janë të izoluar nga bora, e cila ka arritur deri në dy metra. Probleme ka pasur edhe me furnizimin e energjisë elektrike, kurse mësues dhe nxënës nuk kanë mundur të udhëtojnë drejt shkollave.

Rruga që lidh Librazhdin me Peshkopinë është e bllokuar. Të izoluar nga dëbora janë fshatrat e njësive administrative në Rrajcë, Lunik, Orenjë, Polis, Stëblevë, Stravaj, Qarrishtë, Sopot.

Mjaft problematike situata paraqitet edhe në juglindje. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës kanë bllokuar dhjetëra fshatra në qarkun e Korçës. Shumë zona patën edhe mungesë energjie.

Në Qafën e Qarrit, në aksin drejt Dardhës dhe asaj të Voskopojës është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve, për shkak të shtresave të akullit, të cilat pavarësisht kriposjes së vazhdueshme, janë ende prezente në të gjithë gjatësinë e segmentit.

Një grua e sëmurë u transportua me barrelë nga Stravaj i Përrenjasit, ndërsa dy të tjera u evakuuan nga zona e Shalës në Shkodrës.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form