Qeveria shqiptare nuk është dorëzuar në betejën e arbitrazhit me ?Bankers Petroleum?, edhe pse humbi gjyqin disa javë më parë, mbi çështjen e pagesës së 57 milion dollarëve taksa, të llojit tatim mbi fitimin.
Burime zyrtare pranë Avokaturës së Shtetit thanë për televizionin Klan se janë në proces konsultimi me një firmë ligjore e cila ka ndjekur në disa pika këtë çështje, ?Curtis? dhe se nuk janë tërhequr nga kjo kauzë.
Shteti shqiptar humbi gjyqin lidhur me mosmarrëveshjet që pati me gjigantin e prodhimit të naftës, për pagesën e tatimit mbi fitimin në 2011-n, ku taksat dhe kamata arrinte shumën e 57 milionë dollarëve, por pretendimet e njëjta mbeten edhe për vitet e tjera.
Të njëjtat burime thanë se njësoj si me çështjen e vitit 2011-ë, do të ankimohen pretendimet për të arktëuar tatimin mbi fitimin për 2 vite të tjera: 2012-n dhe 2013-n.
Tre vite më parë Drejtoria e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore auditoi pasqyrat financiare të Bankers, ku kontestoi disa shpenzime të cilat nuk mund të njihen për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, pasi vlerësoheshin se ishin bërë në shkelje me procedurat e kontratës hidrokarbure. Për vitin 2012-ë pretendohet të jepen nga ana e Bankers rreth 30 milion dollarë taksa.
Sipas institucioneve, faktet që janë gjendur në këto vite, nuk mund të anashkalohen dhe se ankimimi i tyre do të vijojë, derisa të sqarohen të gjitha mosmarrëveshjet me kompaninë Bankers.