Konvertimi i burgut në vite pune, të përndjekurit: Raporti 1 me 3, domosdoshmëri

Channel One Albania 2018-05-11

Views 7

Ish të burgosurit politikë që nuk kanë parë as dëmshpërblim dhe as pension për vitet e kaluara në qelitë e regjimit, presin nëse do të dalë diçka konkrete nga propozimi i ministrit të Financave për konvertimin e burgut me vite pune. Për ta, raporti 1 vit burg me tre vite pune është i domosdoshëm, ndërkohë që 28 vjet pas ndërrimit të sistemit, nuk kanë përfituar pension nga shteti.

Agron Talo është 60-vjeç dhe pas 10 viteve burg në Spaç, gjatë periudhës së sistemit diktatorial, ende nuk ka përfituar pension, ndërkohë vijon të presë për dëmshpërblimin që i takon me ligj.

Agron Talo, ish i përndjekur: Kam bërë 10 vite e gjysmë burg, në Spaç dhe Qafë Barit. Gjatë kohës kemi punuar në galeri, ndërtim. Aktualisht, jam 60-vjeç dhe nuk trajtohem me pension.

Agroni është një nga 300 të burgosurit e regjimit të kaluar, që kërkojnë nga qeveria jo thjeshtë ndryshimin e ligjit për njohjen e viteve të burgut si vite pune, por edhe trajtimin e tyre me status të veçantë dhe pension burgu.

Agron Talo, ish i përndjekur: Duhet të ndjekim shembullin e Rusisë që konvertimi të jetë 1 në 3 vite. Qeveria mund të na rrëfejë sesi do procedohet, si do nxjerri vitet dhe çfarë fashosh do vendosi. Çdo i burgosur politik duhet të kishte dalë në pension ,në bazë të viteve të burgut, sapo ka dalë nga burgu derisa të mbushej mosha përkatëse për të përfituar pjesën tjetër. Ne duhet të na japin statusin që i takon çdo të burgosuri politik, që i takon sapo del nga burgu.

Por, fatin e Agronit, i cili jeton falë mbështetjes së familjes, e kanë edhe 300 të burgosur të tjerë, të cilët 28-vite pas daljes nga burgjet nuk trajtohen me asnjë pagë nga shteti.

Sipas kreut të Institutit të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni propozimin e bërë një ditë më parë nga ministri Ahmetaj, për njohjen e viteve të burgut si vite pune, ku një 1 burg njihet si 2 vite punë, është një ligj që ekziston që prej vitit 1992.

Besim Ndregjoni, kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë: Ky ligj për të gjithë të burgosurit politikë që kanë qenë në miniera, Bulqizë, Spaç apo Qafë Barit, që në vitin 1992 me marrjen e statusit iu është njohur e drejta e konvertimit të viteve të burgut si vite pune.

Sa i përket lehtësirave të proçedurave, të propozuar gjithashtu nga Ahmetaj, Ndregjoni thotë se qeveria duhet të mendojë për dhënien për ta të pensioneve të veçanta.

Besim Ndregjoni, kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë: Nuk ka as shkurtim dokumentacioni, pasi të gjitha dosjet e të përndjekurve janë në ministritë përkatëse. Nëse qeveria apo ministri Ahmetaj duan të ndihmojnë të burgosurve politikë, tiu japë atyre pensionin special. Nuk janë më shumë se 1500 persona.

Ministri i Financave, deklaroi këtë të hënë, se vitet e burgut do të njihen edhe si vite pune për llogaritjen e pensionit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ku theksoi se ligji do të ndryshojë, duke bërë kështu që vjetërsia e punës dhe sigurimet e ish të përndjekurëve të njihet automatikisht.

Share This Video


Download

  
Report form