Dy pista per atentatin ndaj Lulzim Kulles

RTV KLAN 2018-05-11

Views 21

Atentati me eksploziv ndaj Lulzim Kulllës me 13 Janar të këtij viti në Shkodër dyshohet se është kundërpërgjigje e një konflikti të shkaktuar mes klaneve të trafikut të drogës jashtë vendit. Kjo është një nga pistat e Prokurorisë së Shkodrës për ngjarjen, ku Kulla mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i eksplozivit të vënë në një motor pranë makinës së tij. Shtatë persona të tjerë po ashtu u plagosën.

Burimet thanë për TV KLAN, se kjo pistë lidhet me një konflikt të mundshëm të Lulzim Kullës dhe Klodian Çopjes, vëllait të Endrit Çopjes që u arrestua të enjten si një prej autorëve të atentatit. Klodian Çopja është dënuar nga një Gjykatë në Britaninë e Madhe, me 17 vite burg për trafik droge. Ai dyshohet se ka pasur konflikte me Kullën në Itali për çështje droge.

Në këtë vend në vitit 2010, mësohet se Kulla është dënuar me 12 vite burg. Por ai mundi të kthehej në Shqipëri, ku edhe u arrestua, por Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin në Itali duke vendosur që ai të vuajë në Shqipëri dënimin e dhënë nga drejtësia italiane. Pas konvertimit të dënimit, Kulla u dënua me vetëm 4 vite burg. Pas një ekzaminimi të kryer në një spital privat në kryeqytet, një mjek kishte konkluduar se Kulla, vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe për këtë shkak ai edhe u la i lirë. Ky ekzaminim mjekësor është duke u verifikuar tashmë nga Prokuroria e Shkodrës.

Hetuesit po hetojnë edhe një pistë tjetër pasi nuk përjashtohet mundësia që Endrit Copja dhe Argel Lulaj, edhe ky i arrestuar, të jenë paguar per atentatin apo ta kenë kryer ate si favor ndaj një grupi rival të Lulzim Kullës në Shkodër. Vetë të arrestuarit deri tani nuk kanë pranuar të japin shpjegime lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohen.

Share This Video


Download

  
Report form