4 ish-zyrtarë të Komunës Ishëm në Durrës janë arrestuar me vendim të Gjykatës se kanë abuzuar më pronat në plazhet e Ishmit dhe atij të Gjirit të Lalëzit.
Në pranga kanë përfunduar ish-Kryetari Sulejman Ibrahimi, ish-Kryetar i Komunës Ishëm, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim dhe për korrupsion pasiv.
Ornela Shëmlikaj, sekretare në arshivë protokoll në ish-Komunën Ishëm, aktualisht në detyrë në Njësinë Administrative Ishëm, akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim.
E njëjta akuzë është ngritur edhe për Enver Shimën, ish-përgjegjës i zyrës së Bujqësisë në Ishëm.
Ndërsa Shpresa Merdita, ish-punonjëse e zyrës së Urbanistikës në Komunën Ishëm, aktualisht avokate në Durrës, akuzohet për korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, e kryer në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë së Durrësit, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar me ndarjen e tokave në bregdet dhe në dhënien e plazheve me qira.
Po për këtë çështje mësohet se janë nën hetim edhe 6 persona të tjerë roli i të cilëve po verifikohet nga Prokuroria.