Kandidati për President të FSHF, Bashkim Fino e cilësoi të parregullt procesin e votimit për zgjedhjen e Presidentit të FSHF, pasi sipas tij votuan përfaqësuesit e 12 shoqatave fantazmë dhe të disa klubeve të cilët nuk janë pjesë e futbollit.
Fino paralajmëroi ankimim në gjykatë për parregullsitë e këtij procesi. "Nuk jam i surprizuar, e prisja rezultatin. Ishte një proces i parregullt që nga votimi i 12 shoqatave të paregjistruara në gjykatë. Dhe diferenca prej 18 votash është rezultat i këtyre 12 shoqatave dhe klubeve ilegale.
Ekipe si Olimpiku, Vlora apo dhe Fieri, nuk janë pjesë e futbollit dhe vendosja e delegatëve ishte edhe guri edhe arra në thes, këta votuan dhe tregon për diferencën që zoti Duka fitoi në këto zgjedhje. Do vijojmë me procesin gjyqësor në gjykatat shqiptare, më pas do e ndjekim në CAS dhe në FIFA?, u shpreh Fino.