Një temë tepër prekëse është trajtuar sot në studion e Rreze Dielli. Një zonjë, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, por është quajtur ?Shpresa? ka treguar problemin e saj. Ajo ka 5 vite që është divorcuar dhe që prej 5 vitesh fëmijët e saj nuk e kanë përfituar pensionin ushqimor që është i detyrueshëm dhe i nevojshëm për rritjen e tyre. Shpresa na tregon se nuk punon , pasi është operuar 2 herë, dhe jeton vetëm me anë të një ndihme ekonomike.
Në studio ishte gjithashtu e pranishme edhe Etleva Zeqiraj, përmbaruese gjyqësore në shërbimin shtetëror. Ajo u bëri thirrje të gjithë prindërve që kanë marrë nga gjykata kujdestarinë që menjëherë pas vendimit të gjykatës të drejtohen menjëherë tek zyrat përmbarimore sepse detyrimi ushqimor mund të jepet vetëm 6 muajt e fundit, nga momenti që bën kërkesën.
Përmbaruesja sqaroi se prindit i lihen vetëm 5 ditë kohë që të paguajë detyrimin në mënyrë vullnetare. Më pas kalohet në sekuestro të pasurive private, apo edhe të orendive shtëpiake të cilat mund të konsiderohen të mira luksi.