Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka deklaruar jashtë ambienteve të parlamentit se protestat do të vijojnë, ndërsa ministrja e Drejtësisë duhet arrestuar, pasi lejoi ekstradimin e Nazer Seitit. Ajo theksoi se Rama do të mbajë përgjegjësi për gjithçka ka bërë, ndërsa në fund kishte një koment edhe për pyetjen nëse do të godasë sërish me çizme.
?Ministrja iku me vrap, duhet arrestuar për ekstradimin e Seitit. Të kesh frikë edhe nga një fjalë, kushedi sa frikë ka qeveria e kukullave. Pres gjëra më të rënda nga kjo qeveri.
Ramën nuk do ta shpëtojë dot asgjë nga përfshirja në trafikun e drogës dhe krimin e organizuar dhe përgjegjësia më e madhe që ka se shkatërroi Shqipërinë.
Protestat nuk do të ndalojnë në asnjë moment, janë nga më të ndryshmet, nga minatorët, te naftëtarët dhe gjimnazistët. Sot i kisha këpucët me takë të rëndë, çizmja më e rëndë është e krimit të organizuar dhe duhet të kthehet në çizmen e cdo shqiptari që i bie në kokë Ramës? tha Kryemadhi.