Pas rrëzimit nga Kuvendi i dy listave të përzgjedhura me short për anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor, nën/komisioni ad-hoc do të rinisë të hënën procedurën për zgjedhjen e 10 kandidatëve të rinj në këto dy institucione të reja të drejtësisë.
Për miratimin e tyre Kuvendit i nevojiteshin të paktën 93 vota, por mungesa e konsensusit të opozitës bëri që kandidaturat të rrëzoheshin duke e çuar procesin në pikën zero.
Kushtetuta përcakton që Kuvendi duhet të rinisë procedurën nga e para në nën/komisionin ad-hoc, për të përzgjedhur një listë të re nga propozimet e shoqërisë civile, radhët e avokatisë dhe trupa e pedagogëve.
Kjo procedura përsëritet jo më shumë se dy herë, e në rast se lista nuk miratohet për herë të tretë, kandidatët e saj konsiderohen të zgjedhur nga parlamenti.
Por edhe mbledhja e së hënës nuk pritet të sjellë surpriza, pasi opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj, duke e cilësuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të korruptuar politikisht.
Madje në një dalje nga selia blu të paktën pesë nga kandidatët që u përzgjodhën me short herën e parë e që sërish do të jenë pjesë e procedurës në nën/komision, sipas opozitës janë në shkelje të përmbushjes së kritereve ligjore dhe rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Për pasojë edhe lista e dytë pritet të ketë të njëjtin fat në Kuvend, si pasojë e votës kundër të opozitës.
Tv Klan