Channel One - Feruni: Incineratori në Fier, porta për importin e mbetjeve

Channel One Albania 2018-05-10

Views 2

Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve (AKIP) kundërshton projektin e qeverisë për incineratorët, që sipas ambientalistëve, i hap rrugë importit të mbetjeve, gjë që u paralajmërua nga Kryeministri Rama me rikthimin e neneve që lejojnë importin. Ambientalisti Lavdosh Ferruni thotë se incineratori që po kërkohet të ndërtohet në kundërshtim me vullnetin e banorëve në Fier është porta për importin e mbetjeve. Sipas tij, qeveria duhet të tërhiqet nga ky vendim me kosto të mëdha që nuk janë vetëm financiare.
Lavdosh Ferruni: "Rasti i incineratorit në Fier është vërtetë në përmasa skandaloze për arsye se aty kemi një dëm të drejtpërdrejt jo vetëm te banorët e komunitetit, të cilët janë detyrimisht nesër të sëmurë, por rrezikon që kjo sëmundshmëri të përhapet edhe në publik të gjerë. Në zinxhirin e shpërndarjes, marketingut të produkteve afektohet një popullsi shumë më e gjerë. Është një portë që do t'i shërbejë hyrjes së importit të plehrave në Shqipëri për arsye se në procesin e incinerimit, incineratori nuk duhet të ndalohet. Në rast se ndalon procesin e djegies ai emeton jashtëzakonisht ndotje të madhe"
Për ambientalistin Lavdosh Ferruni, qeveria duhet të zbatojë Ligjin e Mbetjeve për përpunimin e tyre me riciklim dhe ndarje të diferencuar, pasi Shqipëria nuk ka nevojë për një incinerator tjetër pas atij të Elbasanit.
Lavdosh Ferruni: "Qeveria duhet të reagojë sa më shpejt të jetë e mundur. Investimi i filluar do të jetë kosto për taksapaguesit shqiptarë dhe sikur incineratori të ndërtohet dhe të funksionojë prap kostoja që do të paguajnë qytetarët e Fierit dhe të gjithë vendit është shumë më e madhe sesa kostoja në një mënyrë më të thjeshtë, pra duke zbatuar ligjin, duke reduktuar mbetjet në burim dhe duke depozituar atë pjesë që nuk mund të arrijë të riciklohet. Shqipëria nuk ka nevojë për incinerator. Është i mjaftueshëm incineratori i Elbasanit për ato mbetje që nuk arrijnë dot të përpunohen në Shqipëri të digjen në Elbasan"
Ferruni thotë se sipas rekomandimet të organizatave ndërkombëtare në fushën e mjedisit, në vendet në zhvillim sikurse është dhe Shqipëria, nuk duhet të vihen në funksion incinerator për djegien e mbetjeve, për të evituar efektin negativ në bujqësi dhe turizëm.

Share This Video


Download

  
Report form