Konfrontimet, rrëmuja, rrëmbimi i kartave të votimit, sharjet etj., gjatë seancës parlamente të 18 Dhjetorit, ku u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, ka qenë objekt debatesh në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, e cila mori masa ndëshkimore ndaj deputetëve të përfshirë në akte dhune. Shqiptarja.com zbardh debatet mes palëve gjatë kësaj mbledhjeje, e mbajtur në datën 21.12.2017.
Në fillim, deputetja Vasilika Hysi ka paraqitur një raport të hollësishëm, duke listuar sjelljet e konstatuara për secilin deputet dhe shkeljet e rënda të rregullores. Gjatë mbledhjes, shtatë deputetët e ndëshkuar për përfshirje në akte dhune, kanë dhënë versionin e tyre para kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit dhe anëtarëve të tjerë të Byrosë.
Duke iu referuar procesverbalit, i zbardhur ekskluzivisht nga Shqiptarja.com, deputetët e akuzuar, i kanë justifikuar veprimet e tyre me betimin që kanë bërë si deputetë, me mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjshmërisë. Gjatë diskutimeve, deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj tha se ishte fyer rëndë nga ministri Ditmir Bushati.