Për të dytën ditë rresht naftëtarët e Uzinës së Përpunimit të naftës në Ballsh protestuan përpara prefekturës së Fierit. Ata kërkojnë rivënien në punë të rafinerisë dhe refuzojnë të marrin pagesën e papunësisë të miratuar nga qeveria. Punonjësit thonë se ARMO është në gjendje pune dhe nuk ka arsye se përse ata të dalin në asistencë.
Protesta zgjati për më shumë se 1 orë dhe naftëtarët kanë bllokuar sërish bulevardin kryesor duke sjellë kaos në qarkullimin e makinave. Kjo ka bërë që ata të përplasen me policinë.
Nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen dhe nëse ekzekutivi nuk merr masa për rikthimin e uzinës në punë, të hënën ata do të marshojnë në këmbë drejt Tiranës.
1200 punëtorë të uzinës së Fierit dhe Ballshit kanë mbetur papunë pas largimit të kompanisë IRTC Oil, e cila kishte menaxhimin e kësaj rafinerie.
Firma amerikane e regjistruar në ishujt Virxhin në bashkëpunim me një shqiptare vuri në punë ARMO-n në shtator të 2016-ës, ndërsa prej disa javësh është larguar duke lënë edhe 60 milionë Dollarë borxhe pranë autoriteteve fiskale në Shqipëri.
Tv Klan