Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim z. Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështjet Evropiane të Republikës së Maqedonisë.
Presidenti Meta përshëndeti miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga ana parlamentit të Maqedonisë, si një hap përpara për demokratizimin dhe forcimin e rrugës integruese të Maqedonisë.
Presidenti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Ohrit, për respektimin e të drejtave të shqiptareve në Maqedoni dhe përmirësimin e klimës se besimit të ndërsjellë në mes të shqiptareve dhe maqedonasve, në interes të integrimit euro-atlantik të vendit.
Presidenti Meta, shprehu angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në interes të dy vendeve dhe perspektivës evropiane të rajonit.