Krahas lëvizjeve në prokurori të cilat kanë shkaktuar mjaft polemika, temë debati vijon të mbetet edhe mandati i kryeprokurores Arta Marku. Në studion e emisionit "Repolitix", gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, u shpreh se Marku mund të qëndrojë në detyrë deri në dy vite ose më shumë.
"Sigurisht Arta Marku do krijojë stafin e vet për të punuar edhe më tej në këto dy vite ose dhe më shumë që do qëndrojë në detyrë si prokurore", u shpreh gazetari Qyno teksa komentonte lëvizjet nga Marku në prokuroritë e rretheve.
Sipas tij, Arta Marku, edhe pse e përkohshme, ka të njëjtat kompetenca dhe përgjegjësi si parardhësi i saj, Adriatik Llalla. "Prokuroria e emëruar ka kompetencat dhe standarde të njëjta që ka pasur paraardhësi i saj Adriatik Llalla. Llalla para se të ikte dyjavëshin e fundit ka emëruar dhe shkarkuar prokuror. Sigurisht prokuroria e Përgjithshme ka kompetenca për të emëruar dhe transferuar", tha Qyno.