Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin e gjatë me aleatët e tij në selinë blu, ka prekur disa tema, të cilët nuk ishin pjesë e deklaratës së tij për mediat. Report Tv zbardh diskutimet e Bashës me aleatët e tij, ku është mësuar se fokusi kryesor është vendosur tek fati i reformës zgjedhore dhe kërkesat që ka opozita lidhur me kodin.
Burime të Report Tv kanë bërë të ditur, se aleatët i kanë kërkuar Bashës ndryshimin e sistemit zgjedhor, një sistem që do të maksimizonte votën e tyre. Po të njëjtat burime kanë theksuar se tema e reformës zgjedhore nuk duhet të anashkalohet dhe pjesë e diskutimeve të jetë sërish implementimi i teknologjisë. Në këtë pikë, siç është mësuar, Basha u ka thënë aleatëve, se do të kërkohet një sistem që do të përfaqësojë më mirë qytetarët shqiptarë.