Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë vendimet për fatin e mandatit për dy deputetët Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi. Me kërkesë të anëtarit të LSI, Gëzim Veleshnja KQZ miratoi me votat e PS dhe LSI (PD votoi kundër) kërkesat duke iu drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të dhëna shtesë. KQZ i la afat prokurorisë që deri ditën e premte të paraqesë informacionet shtesë për dy deputetët për të vendosur më pas nëse do të miratojë kërkesën për heqjen e mandatit ose jo. I pari në shqyrtim nga KQZ ishte rasti i deputetit të LSI.
Anëtari i LSI në KQZ, Veleshnja, por edhe avokati i deputetit Ardian Visha u shprehën se ka shumë paqartësi në informacionin e prokurorisë, prandaj kërkojnë të dhëna shtesë dhe sqarime. ?Për herë të parë ndeshemi me termin raportim policor. Në një stacion policie mund të shkojnë shumë raportime brenda ditës më pas vendoset nëse do të ketë procedime. Në pjesën e dytë të akuzës thuhet ?të dhënat e përcjella nga drejtësia italiane, por nuk thotë kujt institucioni i referohet?. Sqarimi i këtyre dy momenteve është shumë me rëndësi? tha Veleshnja.