Administrata do të hyjë edhe në Vetting-un e faturave të ujit. Pas reformës në sektorin e energjisë elektrike, qeveria është duke ndjekur të njëjtin skenar për të formalizuar edhe atë të ujit të pijshëm.
Në vitin 2014-të, kabineti Rama 1, zbatoi një urdhër të Kryeministrit, i cili kërkonte të merreshin masa ndaj punonjësve shtetërorë që kishin detyrime ndaj kompanisë OSHEE.
I njëjti urdhër është firmosur edhe tani nga kreu i qeverisë. Vetëm në këtë rast, borxhi apo fatura e papaguar duhet t?i paguhet Ujësjellësit. Vendimi i datës 13 Dhjetor, urdhëron të gjithë ministritë që brenda datës 15 të çdo muaji, të verifikojnë nëse faturat e ujit janë paguar rregullisht apo jo.
Këtë herë, vendimi nuk përcakton penalizimet që do të merren ndaj administratës, por masat për moszbatimin e tij, lihen në dorë të titullarit të institucionit.
Urdhri i Kryeministrit po ashtu detyron të gjitha institucionet publike që nuk kanë lidhur kontrata shërbimi me drejtoritë e ujësjellës kanalizimeve, që të nisin hartimin dhe firmosjen e tyre. Për drejtoritë që kanë detyrime të prapambetura urdhërohet shlyerja e borxheve përmes aktmarrëveshjeve që duhet të lidhen me ujësjellësit.
Deri në fund të muajit Shkurt, qytetarët duhet të bëjnë deklarimin vullnetar të lidhjes së paligjshme që kanë dhe të pajisen me matës. Më pas aksioni do të vijojë me penalitete për konsumatorët që gjenden me shkelje.
Informaliteti në sektorin e ujit është më i lartë se ai në fushën e energjisë elektrike. 67% e ujit të hedhur në rrjet nuk arkëtohet ndërsa nga 3 litra të hedhura në rrjet faturohet vetëm 1.