Në sallën e madhe të Universitetit të Arteve aty ku shumë prej emra të mëdhenj të artit shqiptar, performuan për herë të parë kur ishin të vegjël, u rikthyen sërish dhe kujtuan përmes këngëve dhe pamjeve filmike emocionet e atyre viteve.
Iniciativa e drejtoreshës aktuale të Qendrës Kombëtare për Fëmije, Monika Lubonja, për të organizuar një koncert madhështor në 70-vjetorin e krijimit të kësaj qendre, jo vetëm riktheu pas në kohë artistët, i bashkoi ata me brezin e ri që sapo ka nisur rrugëtimin drejt artit, por ju dhuroi atyre edhe më shumë emocion, me anë të kupave të mirënjohjes për punën e tyre ndër vite.
Një kupë shkoi edhe në nderim të kompozitorit të muzikës shqiptare, Aleksandër Lalo i cili u nda nga jeta dy muaj më parë.
Koncerti solli emocione të mëdha për të pranishmit të cilët dëgjuan të përformohen këngë të cilat zor se shuhen nga memoria edhe pse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli që janë kompozuar dhe kënduar nga të vegjlit, që sot janë artistë të mëdhenj.