Jo bojkot të parlamentit, por asgjësim të mandateve, asnjë deputet të mos jetë më i tillë. Ka qenë kjo thirrja e ish-kryeministrit Sali Berisha jashtë sallës së Kuvendit për deputetët e opozitës.
"Kjo opozitë në këtë parlament, e dhunuar në këtë shkallë ekstreme, nuk ka bashkëjetesë dhe i lind e drejta me këtë që bëri sot Edi Rama dhe emërimin e tij si prokurori i Përgjithshëm të marrë çdo vendim për të përmbysur narkoregjimin e Edi Ramës.
Unë e siguroj opozitën se nuk do të vijë kurrë në pushtet nëse nuk e sjellin ata gra dhe burra, për të mbrojtur parlamentin e tyre, Kushtetutën e tyre. Në parlament me banditë, të cilët venë i prita deputetëve, zgjidhja është djegie solemne të mandateve.
Unë po them që në këto kushte, opozita vetëm sa i largohet pushtetit dhe qëllimeve të saj, kur asaj i dhunohen në këtë mënyrë, të drejtat më elementare të saj".
Deklaratat ish-kryeministri Berisha i bëri pas zgjedhjes së Kryeprokurorit të përkohshëm vetëm me votat e mazhorancës.
Berisha komentoi edhe ndërhyrjen e gardës në sallë të Kuvendit, duke akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama.
"Dua të sqaroj çdo shqiptar se sot në parlament Edi Rama organizoi një pritë cubash, ndaj meje. U nisa për të thënë 3 minuta fjalë të miat për procedurë. Rama urdhëroi mercenarë, shefin e rojeve të gardës dhe bëri një pritë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit. Pra pasi kryetari jep fjalën, një fundërrinë urdhëron rojet, që të më pengojnë fjalën".
Berisha e cilësoi kryeministrin Rama, si "e keqja më e madhe e Shqipërisë pas Enver Hoxhës"./tvklan.al