Kryetari i Bashkise, Erion Veliaj dha sot një lajm të mirë për të gjithë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit.
?Edhe këtë fundvit do të japim një shpërblim për të gjithë punonjësit tanë të Bashkisë së Tiranës, sidomos ata të emergjencave, jo se paratë bëjnë diferencën, por për të treguar se për ne sakrifica njerëzore është po aq e dobishme, në mos më e dobishme se sa infrastruktura?, deklaroi Veliaj. Një muaj më parë, të gjithë punonjësit e sektorit të mbështetjes e logjistikës në Drejtorinë e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, njohur ndryshe edhe si shërbimi zjarrfikës, përfituan rritje page dhe shpërblim për mirëmenaxhimin e situatës së zjarreve gjatë verës.
Veliaj e dha lajmin teksa njoftoi sot se Tirana do të ketë një sallë të re operative të shërbimit të emergjencave dhe një autoambulancë me pajisje të teknologjisë së fundit, në mbështetje të sistemit dhe shërbimit të urgjencës mjekësore. Në 5-vjetorin e themelimit të Emergency Response Albania (ERA), kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf, mori pjesë në përurimin e sallës së re dhe të autoambulancës që do të shërbejë gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës në qytetin e Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për përmirësimin e shërbimit dhe vlerësoi kontributin e punonjësve të zjarrfikësve dhe të punonjësve të emergjencave. ?Më vjen mirë që Fondacioni Zviceran për Inovacionin ka qenë një bekim për ne, për qytetin tonë dhe komunitetin?, tha ai, duke i cilësuar punonjësit e shërbimit zjarrfikës dhe të urgjencave si heronjtë e heshtur të qytetit.