Komisioni i Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit mban peng zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, duke përfshirë politikën shqiptare në një konflikt të panevojshëm si dhe duke ngrirë të gjithë procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ky është konstatimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj, përcjellë përmes një memoje, drejtuar Komisionit të Ligjeve.
Në memon e zbardhur nga Shqiptarja.com, Gjonçaj thotë se mungesa e anëtarit të pestë që vjen nga shoqëria civile ka bllokuar ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ ky përgjegjës për përzgjedhjen e tre kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm, që përmbushin kriteret e parashikuara në ligjin e ri për prokurorinë.
Më pas, Kuvendi zgjedh një nga tre kandidatët me 3/5 e votave. Në memo sqarohet se që nga data 4 dhjetor 2017, Kuvendi nuk ka asnjë korrespondencë me Komisionin e Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit.