Skafistet e 1.6 ton kanabis mohojne akuzat

RTV KLAN 2018-05-09

Views 9

2 shqiptarë dhe një italian kanë dalë para gjykatës së Pireut të akuzuar si pjesë e rrjetit të narkotrafikut të goditur pak ditë më parë, ku u sekuestrua 1.6 ton kanabis. Ata nuk i kanë pranuar akuzat, por gjykata i ka lënë në arrest me burg. Italiani tha se ishte pajtuar vetëm për të drejtuar skafin dhe nuk kishte lidhje me drogën. Edhe një nga shqiptarët dëshmoi se ishte vetëm punëtor ngarkim-shkarkimi.

Mediat greke ndërkohë publikojnë detaje të reja rreth grupit greko-shqiptar që çoi në pranga gjithsej 11 persona. Kjo grafikë tregon itinerarin e gomones së nisur nga brigjet e Himarës, me destinacion final Turqinë. Ajo u pikas nga policia greke dhe agjencia e ruajtjes së kufijve Frontex, por vetëm pas mbërritjes në ishullin e Keas u bë i mundur ndalimi i saj. Mjeti i fuqishëm lundrues ndaloi pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, ku mbeti i plagosur edhe një nga trafikantët. Këto pamje që sjell televizioni Skai tregojnë shenjat që kanë lënë plumbat e snajperit në gomone.

Ky kartel vepronte në të paktën 4 shtete, Shqipëri, Greqi, Itali dhe Turqi. Ai ka transportuar drejt Turqisë në mesin e muajit Shtator një sasi të madhe kanabisi të ngarkuar në brigjet shqiptare. Në Turqi trafikantët shkëmbenin kanabisin me droga me të rënda, kryesisht heroinë.

Lëvizja e drogës bëhej përmes 6 gomoneve të fuqishme që ishin në pronësi të biznesmenit nga Korfuzi, Spiros Kardhalis, pronar i një rrjeti restorantesh luksoze në Mykonos dhe Athinë. Pjesa më e madhe e të arrestruarve ishin përgjegjës për riparimin dhe rimorkimin e skafeve, ndërsa anëtar kryesor i grupit konsiderohet një 31-vjeçar shqiptar me nofkën ?Vito?.

Për mirëmbajtjen e gomoneve që transportonin drogën shpenzoheshin 50 deri në 60 mijë euro në mënyrë që ato të ishin të gatshme për lundrim. Burime policore thanë për mediat se një prej gomoneve të sekuestruara është përdorur edhe për trafik klandestinësh nga Shqipëria në Itali në vitin 2011.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form