Ndezja për herë të parë e sistemit ngrohës me pellet në shkollën e mesme të Shupenzës në Bulqizë, për pak ka rezultuar fatale për 120 nxënësit e saj.
Çlirimi i gazrave ka helmuar 60 nxënës, 34 prej të cilëve po marrin mjekim në spitalin e Peshkopisë, 27 në spitalin e Bulqizës, ndërsa një nxënëse dhe një mësues janë transportuar me helikopter në Tiranë për ndihmë të specializuar në shërbimin e toksikologjisë në qendrën spitalore universitare ?Nënë Tereza?. Dhjetë prej nxënësve paraqiten në gjendje më të rëndë.
Drejtuesit e spitaleve ku gjenden të shtruar nxënësit konfirmojnë se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe pa rrezik për jetën.
Ekspertët të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje thonë se gjithçka ka ardhur si pasojë e montimit gabim të sistemit ngrohës me pelet gjatë rikonstruksionit të shkollës. I nxitur nga moti i ftohtë, përgjegjësi i kaldajës e ka ndezur atë mëngjesin e së premtes pa e testuar më parë.
Tymi dhe gazi i dioksidit të karbonit i prodhuar është kthyer mbrapsht duke helmuar nxënësit e klasave të katit të parë. Lidhur me këtë ngjarje, Ministria e Arsimit ka kërkuar verifikimin e situatës, ndërsa ka njoftuar se procesi mësimor në shkollën ?Rifat Manjani? nuk do të nisë deri në restaurimin e kaldajave.
Tv Klan