DURRES-Një vit pasi u dhunua dhe u largua nga Shqipëria biznesmeni Fadi Mitri, sot administratori i firmës së tij ka denoncuar se disa persona janë futur me dhunë në pronën për të cilën ka marrë lejen për të ndërtuar një resort në Gjirin e Lalzit.
Pas kallëzimit, policia ka referuar materialet në prokurori duke nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar personat që kanë hyrë me forcë tek prona duke e rrethuar.
Biznesmeni amerikano-libanez, Fadi Mitri në kohën e Berishës kishte marrë leje për të ndërtuar në gjirin e Lalzit një resort turistik me vlerë 180 milion euro, por banorët e zonës pretendojnë pronësinë mbi tokën duke u përfshirë në disa konflikte.
Një vit më parë sekuestro tokës
Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata vendosi në shtator 2016 sekuestro të pronës për të cilën u dhunua barbarisht biznesmeni libanez Fadi Mitri përfaqësues i kompanisë ?Omnix Albania?.
Sipërfaqja prej 45 mijë metra katrorë i është njohur nga Gjykata e Durrësit, shtetasit Pal Selçuni. Sipas hetimeve të deritanishme, prokurorët kanë krijuar dyshime të arsyeshme se Selçuni e ka fituar pronën me anë të dokumenteve të falsifikuara.
Hetimet për pronën nisën pas rrahjes së biznesmenit Mitri, që për pasojë sollën edhe tërheqjen nga investimi prej 450 milionë dollarësh të firmës ?Omnix Albania?, në Gjirin e Lalzit. Selçunit iu njoh kjo pronë nga gjykata e Durrësit në Mars të 2016.