Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme, rreth orës 19:20, në lagjen Guerrile të Shkodrës, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një 20-vjeçar i identifikuar si Hermes Beqiri. Mësohet se Beqiri ka qenë duke pirë kafe në një lokal në lagje kur është qëlluar nga persona paidentifikuar.
Personat në fjalë e kanë qëlluar të riun nga rruga përballë lokalit, e më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. 20-vjeçari është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Nuk dihet ende më shumë detaje rreth ngjarjes, ndërsa policia ka shoqëruar në komisariat disa persona që ndodheshin në lokalin ku ndodhi ngjarja, dhe po punon për zbardhjen e plotë të saj.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shkodër
Informacion Paraprak
Më datë 04.11.2017, rreth orës 19.20, ka ardhur një telefonatë në sallën operative se në lagjen Guerrile Shkodër, vendi "Ish Zoteknika", ka të shtëna me armë zjarri
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë ku nga verifikimet e para ka rezultura se në një lokal, është plagosur me armë zjarri shtetasi H. B. 20 vjeç, banues në Shkodër, nga persona ende të paidentifikuar.
Shtetasi i lartëpërmendur ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, në gjendje të rëndë për jetën.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po behët krehja e zonës dhe po punohet për identifikimin e kapjen e autorit/ve.
Janë shoqëruar disa persona në cilësinë e deshmitarit në D. V. P. Shkodër
Po kryhen veprimet me grup hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.