http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Të gjithë qytetarët e më shumë se 60 vendeve që kanë hequr regjimin e vizave me Bashkimin Europian, do të duhet të plotësojnë një formular para se të udhëtojnë ne zonën Shengen.
Komisionari i BE-së për Çështje të Brendshme, Ditris Avramopoulos, është shprehur se masat e reja nuk janë izolim, apo rikthim I vizave, por një dokument i domosdoshëm për futjen në zonën Shengen.
Sipas tij, qytetarët që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza, para hyrjes në vendet e unionit, do të plotësojnë një formular online ku do të shënojnë të dhënat personale, kontaktet, vendin ku do të udhëtojnë, të dhëna për ndjekje penale, nëse janë refuzuar në ndonjë vend apo janë dëbuar.
Pas plotësimit të formularit, i cili do të kushtojë 10 euro dhe do të vlejë për 3 vite, ose deri në skadimin e pasaportës aktuale, udhëtarët do të presin një përgjigje brenda 72 orësh.
Personat nën moshën 18 vjeç dhe ata mbi 60 vjeç, studentët, shkencëtarët dhe antarët e familjeve me nënshtetësi të ndonjë vendi të BE-së, nuk do të paguajnë asgjë.
Nëse dikush nuk ka mundësi për qasje në internet, kërkesën mund ta plotësojë edhe ndonjë person i tretë dhe leja do të kthehet në e-mailin e personit që e ka kërkuar.
Ndërsa personat që marrin përgjigje negative, kanë të drejtë ankese.
Sistemi i ri i kontrollit kufitar do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2020 dhe është propozuar para një viti si pasojë e ardhjes më masive të personave pa viza në BE.
Shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë reaguar me zemërim pas paralajmërimeve për rivendosjen e masave të reja. Sipas tyre një masë e tillë do të shkaktojë pritje të gjata para ambasadave.
Por KE, këmbëngul se masat e reja do të zbatohen nga të gjithë, përfshirë Kanadanë dhe SHBA-të.