Për opozitën dokumenti i prokurorisë Italiane i marrë nga ish-ministri i Brendshëm nuk përbën asnjë provë lidhur me pafajësinë e Saimir Tahirit. Enkelejd Alibeaj sqaroi se nuk është prokuroria italiane ajo që mund të procedojë penalisht ish-ministrin e Brendshëm, pasi kjo kompetencë sipas demokratëve i takon autoriteteve shqiptare.
?Letra që nxori sot Saimir Tahiri mund të tundet për militantët e oborrit por për askënd tjetër. Prokuroria e Katanias, ka arrestuar Moisi Habilajn dhe kërkon anëtarët e tjerë të bandës, sepse ata janë kapur duke e kryer aktivitetin kriminal në territorin e tyre, në Itali. Prokuroria e Katanias, nuk mund dhe nuk e ka për detyrë të procedojë Ministrin në Tiranë, që mbështet, lehtëson dhe i hap rrugën bandës në trafikun e drogës. Kjo është detyrë e prokurorisë shqiptare.?
Sipas Alibeajt dokumentet voluminoze të antimafias italiane provojnë implikimin e Tahirit në trafikun e lëndëve narkotike, ndaj dhe kryeministri Rama sipas tij po bën gjithçka për të penguar hetimet.
?Aktakuza e antimafias italiane për Tahirin janë 1800 faqe prova, dëshmi, dhe fakte të drejtësisë italiane tregojnë përfshirjen direkte të Tahirit dhe përfitimet e tij në miliona euro nga trafiku i tonelatave me drogë. Pikërisht, këtë detyrë të prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare, Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e pengojnë, duke mos pranuar kërkesën e saj.?
Demokratët thonë se mbrojta që kryeministri i jep ish vartësit të tij vjen pasi ka prova tyre implikojnë vetë kreun e qeverisë dhe familjarët e Ramës në afera kriminale./Tv Klan