Projekti Veliera në Durrës ka mbetur në mes, pasi punimet janë të bllokuara. Një situatë e tillë tregon një pamje aspak tërheqëse për qytetarët dhe turistët të cilët vizitojnë qytetin e Durrësit.
Që nga muaji qershor, kohë kur u hapën të dy anët e rrugës në nënkalimin e ndërtuar tek sheshi Veliera, punimet ndërprenë pasi të tilla ishin vendimet e institucioneve ligjzbatuese.
Pas përfundimit të fazës së parë të projektit me vlerë gjashtë milionë dollarë, ende nuk dihet se kur do të nisë zbatimi i fazës së dytë.
Në këto kushte, situata mbetet problematike për faktin se sheshi i ndërtimit ka mbetur kantier i hapur.
Punëtorët e firmës zbatuese janë larguar prej andej, ndërsa nuk ka ende një vendim nga gjykata administrative që po gjykon këtë cështje që nga muaji shkurt i këtij viti për punimet në Zonën A arkeologjike.
Shkak për ndërprerjen e punimeve është bërë ASHA (Agjencia Kombëtare e Arkeologjisë) Ajo ende nuk ka bërë të ditur raportin e saj prej të cilit varet e ardhmja e punimeve në këtë shesh.