Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Forcat Speciale, ato të RENEA-s si dhe të FNSH-së në bashkëpunim me strukturat lokale të policisë së Elbasanit nisën që prej mëngjesit të sotëm një operacion të gjerë me synim kontrollin dhe identifikimin e elementëve kriminalë.
Si rezultat i operacionit, sipas policisë, janë bllokuar disa makina luksoze (pa specifikuar numrin), është kapur një person në kërkim për vjedhje me armë si dhe janë kontrolluar ambiente, automjete e persona të dyshuar.
Gjithashtu, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 27 persona për verifikim, kryesisht persona me precedent penal në fusha të ndryshme.
Gjithashtu, kontrolle janë zhvilluar edhe për ngjarjen e ndodhur më datë 20.09.2017 në qytetin e Elbasanit.
Nga veprimet e deritanishme janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, pasuri, ambiente dhe automjete të ndryshme në pronësi, posedim apo përdorim të subjekteve me aktivitet kriminal.
Gjithashtu ky operacion zhvillohet edhe në kuadër të Plan Operacionit ?Vjeshtë 2017?, për identifikimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve, automjeteve dhe pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale.
Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët e Elbasanit të cilët kanë përcjellë informacionet dhe shqetesimet e tyre dhe i siguron ata se Policia i ka trajtuar dhe po vazhdon ti trajtojë me shumë seriozitet e përkushtim si dhe po vijon punën për të siguruar rendin dhe qetësinë qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë komunitetit në çdo cep të territorit të vendit.
Operacioni u ndoq nga afër edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili tha se lufta ndaj bandave do të zhvillohet në të gjithë vendin.
Për më shumë lexoni në:
http://www.oranews.tv/vendi/forcat-speciale-operacion-ne-disa-lagje-te-elbasanit-ndodhet-dhe-cako/