Hapet gara për të përfunduar by-pass-in e Fierit dhe Vlorës

RTV KLAN 2018-05-02

Views 3

Pas konsultimeve me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur garën për përfundimin e ndërtimit të by pass-it të Fierit dhe Vlorës. Janë 22 kilometra që kompania që do të dalë fituese në garë duhet të ndërtojë në segmentin e Fierit dhe 29 të tjera në Vlorë.

Afati që do t?i lihet firmave për të bërë ofertat përfundimtare është 25 tetori i këtij viti, ndërsa koha që do të kenë në dispozicion për mbylljen e punimeve shkon në15 muaj. Me këto parametra dy by pass-et programohen të jenë gati në shkurt të vitit 2019-të.

Odisea e dy by-pass-it të Fierit dhe Vlorës erdhi pas prishjes së kontratës me kompaninë Serenissima, e cila duhet të kishte mbyllur në tetor ndërtimin e rrugëve, por arriti të kryejë vetëm 12% të punimeve në aksin e Vlorës dhe gjysmën e punimeve në Fier. Shoqëria italiane, jo vetëm që la të hapura kantieret e këtyre segmenteve, por krijoi 21 milion euro borxhe ndaj nënkontraktorëve shqiptarë.

Kompanitë shqiptare kanë fituar gjyqin në gjykatën e Veronës, e cila ka detyruar Serenissima të paguajë detyrimet brenda 60 ditëve.

Të kontaktuara nga televizioni Klan shoqëritë nënkontraktore thonë se nëse shuma nuk derdhet në llogarinë e tyre atëherë gjykata do të urdhërojë falimentin e kompanisë italiane, ku do të bllokohen jo vetëm asetet e saj, por sekuestro do të vendoset edhe në dy by-passet Fier e Vlorë, çka mund të rrezikojë sërish afatet e përfundimit të dy prej akseve më të rëndësishme në jug të vendit.

Share This Video


Download

  
Report form