http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një tjetër dëshmitar në procesin kundër Emiljano Shullazit është marrë në mbrojtje nga policia.
Besnik Musai ish-shofer i biznesmenit Ylvi Beqja erdhi me efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në sallën e gjyqit, ku dëshmoi kundër grupit kriminal të akuzuar për një sërë ngjarjesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Musai tha para gjykatës se vetëm para dy ditësh në familjen e tij, e cila banon në Durrës dy persona kishin kërcënuar te ëmën, duke i thëne se nëse paraqitej në gjyq kundër Shullazit do të kishte pasoja.
Dëshmitari 27 vjeçar foli dhe për kontratën e dhurimit të bërë nga Ylvi Beqja për Emiljano Shullazin. Ai tha para gjykatës se në kohën kur diçka e tillë është bërë, dy palët pasi kanë debatuar Shullazi i vuri pistoletën në bark Ylvi Beqajt.
?Ishte dimër nuk mbaj mend kohën por u nisa bashkë me Ylvin në Durrës ku pritej të firmosej një kontratë për Hotel Vollgën. Pasi mbërritëm te noterja Aida Spahiu aty pashë Gilmando Danin dhe Endrit Qyqjan. Për ta kisha dëgjuar vetëm në televizor dhe ishte hera e parë që i shihja fizikisht. Disa momente më vonë vjen dhe Emiljano Shullazi dhe sëbashku me Ylvin e Danin futen në zyrën e noteres. Endrit Qyqja i cili ishte jashtë uli qepenin e dyqanit. Aty dëgjova disa të bërtitura dhe pas 15 minutash dolën personat ku Shullazi mbante për qafe Ylvi Beqjan. Ata shkuan në një tunel mes dy pallateve dhe aty pashë që Shullazi nxorri një pistoletë dhe ia vuri në bark Ylvit.?
Sipas dëshmitarit te mbrojtur pas kësaj nate problemet per Ylvi Beqjan nisen te shtoheshin. Ne dy raste ai kishte qene prezent kur biznesmeni kishte dërguar Gilmando Danit nje shume prej 80 mije eurosh dhe disa dite me pas nje tjetër prej 70 mije euro. Pas kërcënimeve te shumta Beqja sipas tij ishte detyruar te ikte jashtë shtetit, ndërsa komunikonte me numra turk dhe arabe.