Gramoz Ruçi zgjidhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë për katër vitet e ardhshme.
Ruçi do të zëvendësojë në postin e kreut të Parlamentit, Ilir Metën, i cili tashmë mban postin e Presidentit të Republikës.
Ish-kryetari i grupit të PS është zgjedhur me 80 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa 19 deputetë të LSI nuk morën pjesë në votim.
Ruçi mori 74 votat e PS, 3 të PDIU, një të PSD, Tom Doshi dhe dy vota nga PD.
PD kundërshtoi Rucin, por nga radhët e së djathtës pati rrjedhje, pasi dy deputetë votuan pro ish- kryetarit të grupit të PS.
PD e akuzon Rucin si eksponent të ish-diktaturës komuniste dhe për këtë arsye, argumentojnë ata, ai nuk duhet të zgjidhej në foltoren e numrit një të Kuvendit.
Ndërsa antikomunistët dhe ish-të përndjekurit kanë protestuar para Kuvendit të Shqipërisë.