http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Hyrja në Komisionin e Ekonomisë së drejtueses së Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare, u shoqërua me tensione. Deputetët Erjon Braçe dhe Anasatas Angjeli, kanë debatuar me Enkeleda Shehun, për rritjen e çmimit të sigurimit të makinave. Akuzat e znj. Shehu se ata janë marrë personalisht me të në këtë çështje, nuk janë pritur mire nga kreu i komisionit. Në 23 gusht, të 8 kompanitë e sigurimit rritën njëherësh policat e siguracioneve të automjeteve me 4 mijë lekë të rinj. Kjo ka qenë edhe pika më e kontestuar nga deputetët. Ervin Bushati ka kërkuar mbrojtën e qytetarëve pikërisht nga ky autoritet.Por përgjigjja që ka marrë, ishte që drejtuesja ndodhej me leje në këto data dhe se nuk ka qënë në dijeni nga kompanitë për këtë rritje. Znj. Shehu nuk dha sqarime se përse AMF fillimisht justifikoi në një qëndrim në faqen zyrtare kompanitë, e më pas njoftoi se nuk ishte informuar për rritjen. Por rritja e çmimit të sigurimit është vetëm njëra anë. Në krahun tjetër, janë qindra qytetarë, të cilët duhet të paguheshin nga kompanitë e sigurimit për dëmet e shkaktuara në vite dhe ende nuk kanë marrë paratë. Firmat e sigurimit kanë plot 13 milion dollarë detyrime në Byronë e Kompensimit. Edhe pse afati 3-vjeçar që u ishte lënë në dispozicion kompanive të sigurimit ka përfunduar, me anë të një rregulloreje Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka shtyrë me 2 vite të tjerë pagesën e borxheve në favor të firmave private e në dëm të qytetarëve.