Rreth 1 milion pushues, prej te cileve gjysma ishin vizitorë e turistë, zgjodhën të pushojnë në bregdetin e Lezhës këtë sezon veror.
Destinacioni kryesor ishin Shëngjini dhe plazhet e tij të Ranës së Hedhun e Kunës.
Bukurisë së bregdetit ranor dhe kurativ të Lezhës i bashkangjiten edhe pastërtia, çmimet dhe shërbimet mbreslënëse.
Numri i lartë i pushuesve, ka tejkaluar edhe pritshmëritë që kishin të zgjedhurit lokal.
Administratori i Shëngjinit Tonin Uldedaj e përqëndron vëmendjen tek shërbimet dhe sigurinë e ofruar në bregdet në këtë sezon. Asnjë i mbytur, asnjë incident dhe asnjë shqetësim nga motorat e ujit bënë që Shëngjini të marrë vëmendje maksimale.
"Kemi pasur një fluks në rritje në krahasimme vitet e tjera ku ka arritur deri në 450 mijë pushues dhe vizitorë. Këtë vit është eksploruar e gjithë vija bregdetare. Edhe siguria në bregdetin e Shëngjinit ka qenë në nivele shumë të larta ku nuk kemi pasur asnjë problem falë një pune, një grafiku, ku është monitoruar 24 orë nga njsia administrative".
Pavarësisht mangësive në akomodim, plazhi i Tales pati fluks të shtuar pushuesish ditor që arrinin në mbi 20 mijë. Ky plazh vazhdon të vlerësohet për hapësirat e mëdha publike dhe çmimet shumë konkuruese në krahasim me zona të tjera bregdetare.
Vendvarrimi i Skënderbeut dhe kalaja e qytetit vijojnë të tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje.
Kjo verë solli në Lezhë 30% më shumë vizitorë e turistë drejt këtyre dy aseteve të rëndësishëm.
Përgjegjësi i memorialit, Paulin Zefi tregon se për të vizituar vendvarrimin e heroit tonë kombëtar ka patur interes edhe nga përtej oqeanit.
"Është hera e parë që këtë vit ka pasur turistë nga Zelanda e Re, gjithashtu dhe nga shtete si Kili në Amerikën e Jugut, në të njëjtën kohë edhe grupe të organizuara nga Indonezia dhe Japonia".
Ai shton se në këtë tempull duhet ndërhyrë për t?i dhënë vlerën e merituar, e këtë ia kujton Ministrisë së Kulturës duke iu referuar shpalljes së 2018 si viti i Skënderbeut nga kryeministri i vendit. Tv Klan