http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, 19 vatra zjarri kanë qenë aktive në qarqet: Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër. Në Tiranë, vazhdon operacioni për të shuarjen e flakëve në pyllin me shkurre dhe dushqe në afërsi të Tunelit të Kërrabës, por dhe në Malin e Derjes në Shëngjergj. Në fshatin Kuç, të Vorës zjarri i rënë te enjten u riaktivizua serish në një zonë me shkurre, por që rrezikon dhe një magazinë me fishekzjarrë dhe lëndë djegëse.
Në Elbasan zjarrfikësit dhe forcat ushtarake vijojnë operacionin për të shuar flakët me shkurre dhe pisha në fshatin Derstilë të Gjinarit, por situata më problematike paraqitet në Dibër. Ne disa fshatrat te këtij qarku janë shkrumbuar dhjetëra hektarë.
Alarmante është situate në fshatin Madhesh dhe Troll të bashkisë Mat, ku flaket jane përhapur ne një perimetër rreth 10 km dhe po i afrohen Qafë Shtamës. Sipas Shtabit të Emergjencave, flakët mund të shuhen vetëm nga ajri. Ndërkohë ne Klos janë djegur 4 hektarë pyje me pishe, bredh e ah. Në Vlorë, vazhdojnë operacionet ne terren te mbështetura edhe nga helikopterët, për të shuar zjarret e rëna në fshatrat Muzinë, Kardhikaq dhe Pecë.
Në Gjirokastër flakët kërcënojnë banesat e fshatrave Frashtan dhe Lugar. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, por nuk kanë mundur të veprojnë për shkak të terrenit të thyer. Në ndihmë kanë shkuar edhe 30 forca ushtarake dhe helikopteri, i cili ka izoluar përkohësisht zjarrin. Sipas Shtabit të Emergjencave, pritet të vijnë në ndihmë 2 avionë canadair nga Greqia si dhe të vijojë punën helikopteri për të shuar zjarret në fshatrat e prekura të bashkisë Dropull.