Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy nga tre persona të cilët u arrestuan tre ditë më parë gjatë një aksioni antidrogë në zonë e Don Boskos.
Në këtë operacion njeri nga të arrestuarit dhe një tjetër i shpallur në kërkim nuk iu bindën urdhërit të policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e oficerëve dhe njëri prej tyre mbeti i plagosur, teksa efektivët e antidrogës qëlluan për ta ndaluar.
I pari që doli para gjykatës ishte Ardit Murati i cili u la në burg deri në përfundim të hetimeve. Babai i tij Shehati u lirua duke caktuar si masë sigurie për të detyrim paraqitje.
Ata u prangosën pasi në banesën e tyre u gjet 50 gram kokainë.
Në spitalin ushtarak u zhvillua seanca për Blendi Pecen i cili mbeti i plagosur në aksion. Edhe Peca u la në burg. Ndërsa burg në mungese u dha për Arbër Muratin. Ky i fundit ishte së bashku me Pecën në mjetin që u qëllua nga plumbat dhe mundi të largohej.
Në automjet policia gjeti 385 gram kokaine e cila do të shitej kryesisht ne zonën e Don Boskos. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur një verifikim për veprimet e policisë për të sqaruar nëse është zbatuar rregullorja për përdorimin e armëve, pasi nga policët u qëllua disa herë në mes të rrugës, në një zonë të banuar. TV KLAN