Pas Eduart Selamit është edhe Astrit Patozi që shpall zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike përballë kryetarit të vetëngrirë Lulzim Basha.
?I shqetësuar për rezultatin dramatik të PD-së në këto zgjedhje dhe i bindur se ringritja e saj mund të ndodhë vetëm pas një procesi reflektimi dhe një gare të drejtë, jam këtu sot që të marr të gjitha përgjegjësitë e mia në funksion të këtij qëllimi.
I mbështetur nga një numër shumë i madh anëtarësh dhe drejtuesish të PD-së në vite dhe i vendosur në kushtet e mosdaljes së një kandidature tjetër të vërtetë dhe serioze, deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar të PD-së në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara?, tha Patozi në një dalje për mediat nga selia blu.
Patozi kërkoi dorëheqjen e menjëhershme dhe jo ngrirjen e kryetarit Basha, sidhe largimin e tij nga zyra e PD-së derisa të përfundojë gara për kryetar.
Ai tha se duhet të jetë Sekretari i Përgjithshëm i partisë ai që duhet të marrë në dorë databazën e anëtarëve të partisë dhe kërkoi kohë të mjaftueshme për debat në garën zgjedhore.
?Këto kërkesa janë garancitë minimale për një proces zgjedhor demokratik?, tha Patozi.
Patozi ka shërbyer më parë si nën/kryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit parlamentar gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës. Ai nuk u përfshi në listat për kandidatë në zgjedhjet e 25-qershorit nga kryetari Lulzim Basha, zgjedhje të cilat Partia Demokratike i humbi duke arritur nivelin më të ulët historik të vetëm 43 mandateve në parlamentin me 140 deputetë.
Shpallja e kandidaturës nga ana e Patozit, vjen vetëm dy ditë pasi gjatë një interviste për Blendi Fevziun në ?Opinion?, në Televizionin Klan, ai përjashtoi mundësinë e kandidimit duke i quajtur zgjedhjet me Bashën në garë si ?farsë?.
?Është folur për mua gjatë këtyre ditëve për kandidimin tim. Unë sigurisht e kam lexuar me vëmendje këtë dhe sot sigurisht kam një vendim. Unë nuk do të kandidoj për kryetar të PD-së. Kam dy arsye që janë shumë të forta. Nuk kandidoj për kryetar të PD-së sepse PD-ja sot nën drejtimin e Lulzim Bashës të vetëngrirë është bërë gati të hapë një farsë elektorale, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me një garë të lirë dhe të ndershme brenda një partie politike?, tha Patozi në ?Opinion?.
Ai tha se ?çdo lloj garë, minimalisht ka nevojë për disa kushte dhe parakushte që të jetë e lirë, e ndershme dhe e paanshme?.
Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike do të mbahen me 22 Korrik./tvklan.al