Më 23 qershor, Ilir Hasanaj nga fshati Raptishë e Poshtme e Deçanit, është keqtrajtuar nga një polic i këtij rajoni. Për këtë ngjarjen që ndodhi në qendër të Deçanit, rrëfen prindi i tij Asllan Hasanaj.
Djali i tij, tregon 62-vjeçari, është rrahur nga ky polic vetëm pse e ka parkuar veturën në vend të gabuar, raporton albanews.ch.
Në incizimin që Ilir Hasanaj e ka bërë derisa është shoqëruar për në stacionin policor, dëgjohen mirë ofendimet dhe fyerjet e policit Hazir Mushkolaj.
Hasanaj tregon se i njëjti polic e ka kërcënuar edhe me vrasje djalin e tij, i cili jeton në Francë. Pas kësaj, Asllan Hasanaj e ka lajmëruar rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Ndërkaq, në Inspektorat kanë konfirmuar se kanë pranuar një ankesë të tillë dhe se ky rast është duke u hetuar nga një hetues i IPK-së, i cili është në fazë të grumbullimit të informatave dhe dëshmive materiale.