Një skenë sa e pazakontë, aq edhe komike ndodhi në hyrje të kryesisë së Kuvendit, pak çaste përpara nisjes së tryezës së partive parlamentare.
Me duar në xhepa dhe i buzëqeshur, Kryeministri Edi Rama mbërriti në kryesinë e Kuvendit, në momentin kur Lulzim Basha po jepte një prononcim për gazetarët.
I gjendur përballë kësaj skene, Kryeministri zgjodhi që të qëndronte pas kreut të Partisë Demokratike, duke shkaktuar reagim tek gazetarët që mbanin mikrofonat në duar, e që për pak çaste e humbën përqendrimin nga fjala e Bashës, e u fokusuan nga Kryeministri Rama.
Pasi priti për disa çaste, Kryeministri vendosi të futej, por jo pa iu drejtuar me një batutë kundërshtarit të tij politik. Teksa e kapi nga krahu, i tha:
Rama:"Hajde se erdha unë"...
Basha: "Shko aty , se aty kemi punë jo këtu.."
Ftesës së Fatmir Mediut dhe Agron Dukës për një tryezë mes krerëve të partive parlamentare për arritjen e një marrëveshjeje për krizën politke u janë përgjigjur të gjithë aktorët politikë në vend, përfshirë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe Kryeministri Edi Rama./tvklan.al