Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Rritet numri i qytetarëve shqiptarë që deklarojnë burimin e të ardhurave në një vit. Në mbyllje të proçesit rezulton se për vitin 2016 janë bërë 7475 deklarime nga 6340 që ishte totali për 2015-ën. Ligji sanksionon detyrimin për të gjithë ata persona që kanë të ardhura mbi 2 milion lekë në vit.
Rritje me pothuaj 18 % më shumë se një vit më parë është shënuar në mbyllje të proçesit të vetëdeklarimit të të ardhurave personale mbi 2 milion lekë.
Të dhënat bëhen me dije nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Në zbatim të ligjit për tatimin mbi të ardhurat të gjithë qytetarët të cilat në vitin që lamë pas realizuan të ardhura mbi 2 milion lekë, kanë detyrimin të deklarojnë të gjitha burimet e shumave të përfituara të të ardhurave vjetore.
Afati i fundit ishte 2 maji dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kanë mbërritur 7475 deklarime me këto të ardhura.
Kujtojmë që vitin e 2015, bënë deklarimet e tyre 6340 qytetarë. Në formularë qytetarët deklarojnë të ardhurat bruto, shpërblimet apo fitimet nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit, të ardhurat bruto nga dividenti, të ardhurat nga qiraja, fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, të ardhura nga interesa bankare, fitime kapitali neto të krijuar nga investime në tituj apo pasuri, fitime nga llotari apo lojëra fati.
Për më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/ekonomi/tatimet-rritet-numri-i-shqiptareve-qe-deklarojne-burimin-e-te-ardhurave/