Ashtu siç ishte paralajmëruar protesta e kësaj të shtune e zhvilluar në bulevardin ?Dëshmorët e Kombit?, përballë, kryeministrisë kaloi e qetë dhe pa incidente. Por prej pasdites së të premtes efektivë të Policisë së Shtetit dhe të Njësisë Operacionale, shoqëruan dhjetëra persona në rrethe të ndryshme të vendit. Të ndaluarit kanë qenë elementë me tendenca kriminale.
Mes të shoqëruarve ishte edhe Jason Randy Morrison, një ish- marins i Ushtrisë Amerikane. Ai është shoqëruar me dyshimin se mund të përgatiste grupe personash që mund të kryenin akte dhe veprime të dhunshme gjatë protestës së opozitës.
Veç tij në Tiranë dhe rrethe janë shoqëruar mbi 40 persona. Zyrtarisht, Policia e Shtetit nuk ka dhënë ndonjë reagim në lidhje me shoqërimet, por burime të saj thanë se të shoqëruarit janë elementë që njihen për tendencat e tyre radikale ekstremiste, të dhunshme dhe kriminale.
Mëngjesin e së të shtunës Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako pati një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Pas takimit, nuk pati komente por burimet thonë se takimi kishte në qendër, shoqërimin e personave dhe informacionet e mbledhura. Masat e policisë gjatë protestës, qenë tepër të larta. Institucionet në bulevard dhe veçanërisht kryeministria ishin rrethuar me forca dhe mjete speciale.
Më tepër se 2500 policë ishin angazhuar në terren. Shkopinjtë e gomës, prangat, dhe maskat kundër gaz ishin pajimet e vetme të bluve në protestë.
Tv Klan