I zgjedhur enkas të zhvillohej në të njëjtën ditë me Ditën e Europës, të gjitha fjalimet e mbajtura në Kongresin Elektoral të Partisë Socialiste u përqendruan në diferencën që ka kjo forcë, që udhëhiqet në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe opozitës aktuale, që sipas tyre do rikthimin në vitin '97 dhe bllokimin e Vetting -ut.
Të tijëve, Edi Rama iu shpjegoi dhe arsyet e tërheqjes nga zgjedhjet në Kavajë, që edhe në këtë rast, sipas tij, tregon ndryshimin e madh me demokratët.
Kryeministri shfaqet i dorëzuar kur flet për përpjekjet që bëri për të arritur të përfshijë opozitën në zgjedhje dhe tregon arsyet përse është i keqardhur që në 18 Qershor nuk do t'i ketë përball demokratët.
Rama është i sigurtë në rezultatin që do të marrë Partia Socialiste në 18 Qershor, por në këndvështrimin e tij këto zgjedhje do të jenë më të vështirat, ku ka marrë pjesë ndonjëherë që nga drejtimi i kësaj force, e këtu gjen momentin për të kujtuar paraardhësin e tij, liderin historik të së majtës.
Mandatin që do të marrë në 18 Qershor, Rama thotë se do ta përdorë për të realizuar ato që nuk bëri dot në mandatin e parë, përfshirë dhe për të fituar në luftën kundër kanabisit, akuza kyçe e mosbesimit të opozitës për një proces zgjedhor të ndershëm.
Një nga premtimet kryesore që Partia Socialiste do t'i bëjë shqiptarëve në këto zgjedhje, e bërë publike në këtë Kongres është 220 mijë vende të reja pune, nga 300 që premtoi në 2013.
Tv Klan