Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar pak ditë më parë në Vitoria-Gasteiz të Spanjës, ku edhe mbajti një ligjëratë në eventin TEDx, rrjeti ndërkombëtar më prestigjioz i folësve publikë, për të prezantuar modelin e suksesshëm të ndryshimit që ka pësuar kryeqyteti shqiptar, në këto dy vite, dhe se si fëmijët janë protagonistët kryesorë dhe fuqia e këtij transformimi.
Prezantimi i tij me titull ?Superheronjtë urbanë: Një qytet i transformuar nga fëmijët?, i cili u prit me duartrokitje nga të pranishmit, u përqendrua në nevojën që kishte Tirana për të ndryshuar për shkak të vështirësive, të cilat kërkonin zgjidhje të menjëhershme si trafiku, ndotja, ndërtimet e paligjshme, mungesa e çerdheve dhe e kopshteve etj, dhe se si dëshira e fëmijëve për ndryshim ishte energjia që e çoi përpara transformimin e Tiranës.