Policia e Tiranës, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 8 Prill, publikon disa pamje filmike të një biznesi privat, ku duket autori i vrasjes së Artan Cukut, ish - Drejtorit të Policisë së Vlorës.
Në videon 13 sekondëshe, autori i dyshuar shihet teksa largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Me duar në xhepa, ai mban veshur një xhup blu, pantallona të zeza, një kapele me ngjyrë të hapur dhe një shall të lidhur rreth qafës.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, i cili rreth orës 20:11, në rrugën e ?Kosovarëve? në hyrje të pallatit "Melros" qëlloi me pistoletë, ish - drejtuesin Cuku.
"Lutemi qytetarëve, se për çdo informacion që mund të kenë për të bërë të mundur identifikimin e tij, të kontaktojnë në numrin e telefonit 0694110299. Policia e Tiranës, siguron ruajtjen e anonimatit dhe konfidencialitetin ndaj tyre", thotë policia në njoftimin e saj.
Ndërkohë Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon hetimet intensive për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë./tvklan.al