TIRANE-Duke qenë se nuk kanë gjetur gjurmë të vrasësve në vendin ku u qëllua Artan Cuku, grupi hetimor po kontrollon antenat e celularëve për të parë se cilët kanë qenë personat e pranishëm në momentin që u vra ish drejtori i Policisë së Vlorës.
Burime të Report TV bëjnë me dije se po kryhet verifikim i të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm në zonën e Liqenit Artificial ditën e shtunë dhe konkretisht pranë pallatit ku u vra Cuku në ?Rrugën e Kosovarëve?.
Dyshimi i Policisë është që ndonjëri prej atentatorëve të ketë përdorur telefonin celularë. Kjo edhe për faktin se në dëshminë që ka dhënë administrator i pallatit, por edhe banorë të tjerë, bëhet me dije se personi që priste poshtë pallatit dhe që dyshohet se është vrasësi i Artan Cukut, ka qenë duke luajtur me telefon.
Për këtë arsye, grupi hetimor po verifikon të gjithë numrat celularë që kanë qenë të pranishëm në zonë, duke marrë parasysh disa persona të caktuar, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për vrasjen. Antenat e celularëve kanë kapur një numër të lartë personash që kanë qenë të pranishëm në zonën e Liqenit Artificial, por dyshohet se nga verifikimi i secilit prej tyre, mund të shkohet më pas në identifikimin e autorëve.
Gjithashtu ka dyshime se vrasësi mund të kenë komunikuar në celularë me dikë tjetër për intenerarin që po ecte Cuku. Burime saktësojnë se do verifikohen tabulatat telefonike të disa personave që kanë qënë pranë pallatit ku u vra ish-drejtori i Policisë së Vlorës.