Ekzekutimi në një atentat mafioz i ish-kreut të Policisë së Vlorës, pistat ku po hetohet

RTV KLAN 2017-07-05

Views 2

Artan Cuku, ish - Drejtori i Policisë së Vlorës është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e të shtunës në zonën e liqenit, në Tiranë. Ish - zyrtari i Policisë është vrarë duke ecur në këmbë, në afërsi të hyrjes së pallatit ku banonte, në "Rrugën e Kosovarëve?. 2 plumba dyshohet se i kanë marrë jetën 40 - vjeçarit, baba i dy fëmijëve, të dala nga një pistoletë. Goditjet kanë qenë precize, pasi një plum e ka qëlluar në qafë dhe tjetri në kokë.

Nga hetimi paraprak, dy persona dyshohet të kenë marrë pjesë në atentat. Ata, sipas dëshmitarëve okularë kanë qenë duke lëvizur me një motor. Pas vrasjes autorët janë larguar menjëherë nga vendi i krimit, duke humbur gjurmët.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj dha një prononcim nga vendi i ngjarjes, por pa dhënë detaje për pistat dhe autorët e dyshuar.

Grupi hetimor i ngritur nga policia dhe prokuroria po heton në dy pista kryesore.

Njëra është ajo e hasmërie që lidhet me detyrën e Cukut, në kohën kur ka qënë Shef Krimesh në Komisariatin Numër 4 në Tiranë, në vitin 2005. Në këtë kohë, një i ndaluar vrau veten gjatë kohës që po merrej në pyetje me armën e Artan Cukut, duke ia marrë nga brezi. Por sipas burimeve, kjo çështje ishte mbyllur mes familjeve dhe ishin pajtuar me njëra-tjetrën.

Pista tjetër që po ndjek policia është ajo e vrasjes për shkak të detyrës që ka mbajtur viktima. Cuku qëndroi në këtë post për rreth dy vite, 2012 - 2013. Gjatë kësaj kohe, në qytetin bregdetar u goditën disa grupe kriminale që merreshin me trafikun e drogërave të forta.

Në dorë, hetimi është marrë nga Prokuroria për Krimet e Rënda, pasi ka dyshime se vrasja lidhet pikërisht me detyrën që ka kryer viktima.

Artan Cuku shërbeu 16 - vite në Policinë e Shtetit duke mbajtur detyra të rëndësishme në disa qytete. Ai u largua nga policia aktive në vitin 2013, duke u emëruar në Akademinë e Policisë. Në vitin 2014, ai u largua përfundimisht nga radhët e bluve, duke u angazhuar në biznes privat. Ai ishte drejtues i një policie private.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form
RELATED VIDEOS