4 orët e darkës mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta mbrëmjen e së dielës në një restorant në zonën e Pazarit të ri në Tiranë, duket se kanë sheshuar një pjesë të mirë të çështjeve për të cilat divergjencat kanë qenë publike.
Në takimin që nisi rreth orës 20:30 dhe përfundoi një orë pas mesnatës, përveç krerëve të dy partive, ishin të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili.
Burime të Televizionin Klan thanë se një pjesë të mirë të kohës e kanë zënë zgjedhjet e 18 Qershorit. Rama dhe Meta kanë rënë dakord për reformimin e Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, edhe pse kjo mund të kërkojë kohë duke nënkuptuar shtyrje të zgjedhjeve.
Rekomandimet e Venecias kërkojnë mosndryshim të Kodit Zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve, por me konsensus ky afat mund të rishihet.
Mundësinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, Kryeministri Rama e pranoi edhe pak ditë më parë në një intervistë për emisionin ?Opinion?, ku tha se do ta prisnin opozitën deri në minutën e fundit, por mazhoranca mund të votojë ndryshimet në ligj edhe e vetme.
Të njëjtat burime i thanë Televizioni Klan se krerët e shumicës qeverisëse kanë vlerësuar edhe rëndësinë e pranisë së saj në këtë proces.
Një tjetër çështje e rëndësishme ka qenë edhe ajo për vijimin e koalicionit mes dy partive edhe për 4 vite të tjerë. Burimet thanë se Rama dhe Meta janë shprehur të gatshëm për të vijuar bashkëqeverisjen megjithëse këtë asnjëra palë nuk e ka zyrtarizuar.
Në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme pritet një mbledhje e kryesisë së LSI-së ku pritet të diskutohet edhe për ftesën publike, që Kryeministri Rama bëri në Asamblenë Kombëtare të Socialistëve paraditen e së dielës, për rionovim të marrëveshjes së 4 viteve më parë në Shkodër.
Tv Klan