E konsideruar si një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në Tiranë, ekspozita "Kryevepra e artit italian" pas tre muajsh po largohet. Mbi 60 protagonistë të shquar të artit italian, si Giacomo Balla, De Chirico, De Carolis, Vittorio Grassi, Carlo Levi, Alberto Savinio e më gjerë janë ekspozuar më 16 janar në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Suksesi ka qenë i madh pohon deputeti Artan Gaçi, një nga mbështetësit kryesor kësaj ekspozite. Gaçi pohon se kjo ekspozitë që qëndroi e hapur për 77 ditë u vizitua nga 54,169 vizitorë, me një mesatare prej 700 njerëz në ditë, duke përfshirë dhe nxënësit e shkollave.
Pikturat e 900-s i kanë vizituar rreth 630 klasa me rreth 19,000 studentë. Mes rreth 55 mijë vizitorëve përfshihen të ardhurit nga Durrësi, Kavaja, Lushnja, Gjirokastra, Korça, Malësia e madhe, Kosova, e më gjerë, por edhe turistët nga Italia, Polonia, Japonia, Gjermania, Holanda, Amerika, Zvicra, Greqia, e vende të tjera. Artan Gaçi, shprehet se pas suksesit me kryeveprat italiane do të tentojë të vijnë edhe veprat origjinale të Pablo Pikasosë nga Parisi.
Gina Ingrassia, koordinatorja e ekspozitës, është shprehur se ka ndjerë një kënaqësi të madhe që mediat shqiptare dhe italiane kanë pasqyruar suksesin e kësaj ekspozite duke rikujtuar piktorët më të mirë të Italisë.