Presidenti Bujar Nishani mori pjesë në kremtimet e Ditës së Komunës së Ulqinit, ku ishte i pranishëm edhe homologu i tij nga Mali I Zi, Filip Vujanoviç, me të cilin zhvilloi një takim.
Nishani i shprehu presidentit Vujanoviç mirënjohjen për kujdesin e vazhdueshëm që ka treguar ndaj pakicës shqiptare si dhe për kontributin në drejtim të forcimit të miqësisë dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Nga ana e tij zoti Vujanoviç falënderoi Presidentin Nishani lidhur me mbështetjen që Shqipëria ka dhënë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve një model i përkryer. Pas takimit në një prononcim për mediat, Presidenti Nishani vlerësoi në mënyrë të veçantë kontributin e dhënë nga shqiptarët e Malit të Zi në ruajtjen e vlerave kombëtare.
?I shpreha Presidentit Vujanoviç vlerësimet e mia më të mira për respektin që autoritetet, shteti i Malit të Zi u adreson shqiptarëve në Malin e Zi. Jam i bindur gjithashtu se shqiptarët e Malit të Zi, si deri më tani, do të vazhdojnë të jenë kontribues të rëndësishëm të shtetit e vendit të tyre dhe duke e adresuar Malin e Zi në të gjitha proceset e integrimit euro-atlantik. Njëkohësisht gjej rastin të falënderoj shqiptarët në Mal të Zi për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme që vazhdojnë të bëjnë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë dhe identitetit të tyre kombëtar.?
Të mikpritur nga Kryetari komunal Loro Ndrekiqi dhe Kryetari i Komunës Nazif Cungu, të dy Presidentët përshëndetën veprimtarinë festive që u mbajt në Qendrën e Kulturës me rastin e Ditës së Ulqinit, gjatë së cilët kënduan dhe luajtën mjeshtërisht disa artistë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia.
Tv Klan