Pas futbollistit të kombëtares, Andi Lila, që ka kërkuar ndjesë në Greqi, imami i xhamisë së Kavajës Ahmed Kalaja, protagonist në video, i drejtohet me falje të gjithë besimtarëve dhe komuniteteve fetare. Ai thotë se gjithçka ndodhi në një moment shakaje, dhe pohon se as predikuesit e besimit nuk shpëtojnë dot nga gabimet njerëzore.
Ahmed Kalaja: Ai ishte një gabim njerëzor, njerëz jemi dhe gabojmë. Dhe dimë të kërkojmë ndjesë, themi gabuam dhe kërkojmë ndjesë.
Në Kuran, ndjesa është akti me i lartë drejtuar Zotit pas pendimit të një gabimi, ndaj imam Ahmed Kalaja kërkon falje ndaj çdo besimtari dhe komuniteti fetar që është prekur në videon e publikuar në rrjetet sociale ku bashkë me futbollistin e kombëtares Andi Lila ironizojnë priftërinjtë dhe ritet e besimit ortodoks.
Ahmed Kalaja: Është një ndjesë shumë e ndjerë dhe jo një ndjesë për sy e faqe. Unë e ndjej që ka qenë diçka që nuk duhet të kishte ndodhur por ja që ndodhi.
Për të qetësuar ujërat e trazuara të toleancës fetare për të cilën promovohet vendi ynë, hoxhë Kalaja tha që edhe besimtarët apo njerëzit që predikojnë besimin gabojnë.
Ahmed Kalaja: Hoxha apo imami është njeri në fund të fundit edhe gabon dhe burrëria është që njeriu thotë gabova: Kërkoj ndjesë, kërkoj falje!
Video prodhoi reagime edhe institucionale.
Ahmed Kalaja: Është shumë normale, Komuniteti Mysliman Shqiptar është shumë i ndjeshëm në këto tematika, po ashtu dhe kultet janë të ndjeshme në këto tematika.
Thotë se ka biseduar me futbollistin Andi Lila dhe sot e përgëzon për hapin e hedhur nga ai ku ka kërkuar falje edhe në Greqi, në prani të priftit Maskim.
Ahmed Kalaja: Unë kam mbetur i shokuar nga sjelljet e shqiptarëve dhe kam mbetur i mahnitur me sjelljen e Metropolitit të Janinës.